Pas reshjeve të dendura të shiut situatë e rëndë është paraqitur në disa komuna të Kosovës. Janë vërshuar disa objekte banimi, si dhe janë bllokuar disa rrugë në Mitrovicë, Pejë, Skenderaj, Deçan, Podujevë e Istog.
Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Skenderaj kanë shpallur gjendje emergjente për shkak të vërshimeve.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës po qëndron në gjendje gatishmëria, pas situatës me vërshime në shumë pjesë të vendit.
Përmes një komunikate për media, ministria thotë se janë duke e monitoruar situatën në terren.
“Ministria e Mbrojtjes, bazuar në Planin e Reagimit Kombëtar në Emergjenca, është në gatishmëri të plotë të reagojë, varësisht nga kërkesat për mbështetje të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.” – thuhet tutje.
Në fund, bëhet e ditur se FSK-ja po qëndron në gjendje gatishmërie dhe se në secilën situatë emergjente, realizon mbështetje ushtarake për qytetarët pa dallim.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se situata e vështirë me vërshime pritet të vazhdojë gjatë orëve dhe ditëve në vijim
“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
IHMK thotë se zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, siç janë Peja, Juniku, Deçani, Klina, Skënderaj, Mitrovica, Zubin Potoku e Leposaviqi.
Në vijim mund t’i shihni pamje të dërguara nga sinjalizues në Gazetën Sinjali.